Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm në një rast që lidhet me kthimin e pasurisë së sekuestruar, duke vlerësuar se procedura gjyqësore ka zgjatur mbi nëntë vjet pa përfundim.
Në aktgjykimin për rastin KI262/25, të parashtruar nga Behar Pruthi, Gjykata ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për proces të rregullt dhe vendim brenda afatit të arsyeshëm.
Rasti lidhet me sekuestrimin e pasurisë gjatë hetimeve për kontrabandim mallrash dhe shmangie të detyrimeve doganore, ndërsa procedurat gjyqësore kanë nisur në vitin 2016 dhe kanë vazhduar me kthime të përsëritura në rigjykim nga gjykatat e rregullta.
Gjykata ka urdhëruar Gjykatën e Apelit që brenda tre muajve të raportojë për masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit dhe ka kërkuar përshpejtimin e procedurës deri në përfundimin e saj.




