Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 29 qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë.
Sipas të dhënave, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 14 raste, në Ferizaj 12 raste, në Kaçanik 6 raste, në Fushë-Kosovë 3 raste, ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq janë regjistruar nga 2 raste. Nga një rast është raportuar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje e lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit.
Po ashtu, instituti ka apeluar tek prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të imunizimit, duke theksuar se vaksina mbetet masa më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.




