Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Raportin Vjetor për vitin 2025, duke konfirmuar stabilitetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë institucionale në vend.
Sipas raportit, ekonomia dhe sistemi financiar i Kosovës kanë ruajtur stabilitetin pavarësisht sfidave ekonomike dhe gjeopolitike. Sektori bankar ka vazhduar të mbetet i kapitalizuar mirë dhe likuid, ndërsa niveli i kredive joperformuese ka mbetur i ulët.
Gjatë vitit 2025, BQK ka avancuar mbikëqyrjen financiare, harmonizimin e rregulloreve me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e sistemit të pagesave, mbrojtjen e konsumatorit dhe inovacionin financiar.
Raporti përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm. BQK ka realizuar rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë eurosh, me fitimin e ndarë sipas kornizës ligjore ndërmjet buxhetit të Kosovës dhe rezervave të bankës.
Po ashtu, institucioni ka vlerësuar kontributin e stafit dhe bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në realizimin e objektivave strategjike gjatë vitit të kaluar.




