Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po mban mbledhje të Kryesisë së bashku me kryetarët e degëve, ku po diskutohet situata paszgjedhore dhe hapat e mëtejmë politikë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia mbetet e përkushtuar të jetë pjesë aktive e proceseve për ndërtimin e institucioneve.
“Është Kolegjiumi i Degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore, organet e partisë fillojnë trajtimin e zhvillimeve dhe qëndrimeve politike. LDK-ja ka vendosur parimisht të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve. Pas përfundimit të takimit, do të ketë njoftim zyrtar”, ka thënë Haziri.
Mbledhja, e cila ka nisur në orën 15:00, vjen pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe kërkesave për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në të po marrin pjesë kryetarët e degëve, ndërsa pritet që pas përfundimit të saj të bëhen publike qëndrimet zyrtare të partisë lidhur me zhvillimet politike dhe pozicionimin e saj në proceset institucionale.




