Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion në Prishtinë më 30 qershor 2026, si rezultat i të cilit janë sekuestruar asete me vlerë rreth 1 milion euro.
Lidhur me këtë aksion kanë reaguar edhe nga Eurojust, duke bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe italiane.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një hetim ndërkombëtar ndaj një rrjeti të dyshuar për pastrim parash, i cili dyshohet se ka përdorur shufra ari për të legalizuar fitime nga trafiku i drogës.
Në kuadër të hetimeve të mëhershme, ishin sekuestruar edhe rreth 30 milionë euro, ndërsa në aksionin e fundit janë konfiskuar pasuri kriminale në vlerë prej 1 milion euro.
Gjatë një hetimi 10-mujor, autoritetet kanë konstatuar se të paktën 18 milionë euro dyshohet të jenë pastruar përmes kësaj skeme, ndërsa Eurojust dhe Europol kanë mbështetur hetimin që nga fillimi i tij në dhjetor të vitit 2024, duke luajtur rol në identifikimin dhe gjurmimin e pasurive në disa shtete.




