Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve në vend.
Hamza theksoi se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë të paqëndrueshmërisë politike dhe se vendi ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe efektive që u shërbejnë qytetarëve.
Ai tha se pret që procesi i certifikimit të rezultateve zgjedhore të përfundojë në ditët në vijim, duke shtuar se PDK mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, funksionimit të institucioneve dhe mbrojtjes së interesit shtetëror.
Gjatë takimit, Hamza ngriti shqetësime për gjendjen në disa sektorë kyç, duke përmendur ekonominë, integrimin euroatlantik, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shprehjes.




