Politologu dhe shkrimtari Bardhyl Mahmuti i ka dërguar një letër trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ka kërkuar që gjyqtarët të marrin parasysh jurisprudencën ndërkombëtare gjatë hartimit të vendimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Mahmuti, përmes letrës së adresuar gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, ka bërë thirrje që të shmangen, siç i cilëson ai, “gabimet historike” në drejtësi.
Në letrën e tij, ai e ka krahasuar procesin në Hagë me “Çështjen Dreyfus” në Francë, duke përmendur rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe rrezikun e ndikimeve politike apo institucionale në vendimmarrje.
Mahmuti ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim prej më shumë se pesë vitesh dhe ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënime të larta ndaj tyre.
Sipas tij, akuza për “ndërmarrje kriminale të përbashkët”, e cila është një nga pikat kryesore të aktakuzës, nuk ka bazë në jurisprudencën ndërkombëtare. Ai ka përmendur raste nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Speciale për Sierra Leonen dhe Tribunalin për ish-Jugosllavinë, duke argumentuar se koncepti nuk mund të përdoret për të kriminalizuar një projekt politik apo luftë çlirimtare.
Mahmuti ka thënë se pret që trupi gjykues të mbështetet në praktikat e mëparshme gjyqësore dhe të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë për ekzistencën e një “ndërmarrjeje kriminale të përbashkët”.
Në fund të letrës, ai ka deklaruar se vendimi i gjykatës do të ketë rëndësi historike dhe ka shprehur bindjen e tij se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi duhet të shpallen të pafajshëm./eo/




