Mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën në Evropë si pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit që goditën pjesën perëndimore të kontinentit në fund të qershorit, sipas të dhënave të EuroMOMO, të mbështetura nga ECDC dhe OBSH.
Mbi 9 mijë nga viktimat ishin persona mbi moshën 65-vjeçare. Temperaturat rekord u regjistruan në vende si Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja, duke shkaktuar rritje të vdekshmërisë.
Shkencëtarët vlerësojnë se këto valë të të nxehtit do të kishin qenë pothuajse të pamundura pa ndikimin e ndryshimeve klimatike. Një studim në Angli dhe Uells llogarit se rreth 2.700 persona humbën jetën nga temperaturat ekstreme gjatë muajve maj dhe qershor.
Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja globale po i bën valët e të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, duke rritur rrezikun për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të moshuarve.




