Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka nominuar Zejnullah Gashin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në mbledhjen e KPK-së, Gashi mori pesë vota pro dhe u përzgjodh si kandidati që do t’i propozohet Presidentes së Kosovës për dekretim.
Para votimit, Këshilli ka shqyrtuar raportin përfundimtar të Komisionit për vlerësimin e kandidatëve. Sipas këtij raporti, Zejnullah Gashi, i cili aktualisht udhëheq Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ishte renditur i pari me 91.6 pikë.
Pas tij u renditën Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.
Emri i Gashit tashmë do t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për procedurën e dekretimit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.




