Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, e cila shkaktoi reagime të shumta.
Paunoviç ka thënë se deklarata e saj është nxjerrë jashtë kontekstit dhe ka kërkuar falje ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme që duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka deklaruar ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është distancuar nga deklarata e ministres, duke e cilësuar atë si të “pakujdesshme” dhe “të papërgjegjshme”. Ai ka theksuar se qëndrimi i Paunoviçit nuk përfaqëson politikën zyrtare të tij apo të Qeverisë së Serbisë.
Pas deklaratës së saj, institucionet e Kosovës e kanë shpallur Snezhana Paunoviçin person non grata, duke e arsyetuar vendimin me retorikën e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës.




