Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm nga paraburgimi.
Kryeprokurorja Kimberly West ka argumentuar se Veseli duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim, duke përmendur shqetësimet për ndikim apo frikësim të mundshëm të dëshmitarëve dhe rreziqe të tjera për procesin gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, shpallja e vendimit të shkallës së parë, e caktuar për 16 shtator 2026, nuk përbën arsye për ndryshimin e masës së paraburgimit.
Në parashtresën e saj, Prokuroria ka vlerësuar se periudha e mbetur deri në shpalljen e aktgjykimit është e kufizuar dhe se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të adresuar rreziqet e identifikuara.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi i shkallës së parë pritet të shpallet më 16 shtator.




