Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar politikën e jashtme të Qeverisë, duke vlerësuar se Kosova po përballet me izolim ndërkombëtar dhe humbje të besimit nga aleatët strategjikë.
Ajo ka theksuar se, ndërsa Serbia ka nisur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovës po i kërkohen kushte për të hyrë në një proces të tillë.
Sipas Musliu-Shoshit, kjo situatë është pasojë e qeverisjes aktuale, e cila, sipas saj, ka dëmtuar raportet me SHBA-në dhe partnerët euroatlantikë.
Ajo i bëri thirrje Qeverisë që të marrë përgjegjësi për, siç e cilësoi, izolimin ndërkombëtar të vendit dhe të punojë për rikthimin e besimit me aleatët, duke theksuar se interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesat partiake.




