Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar disa vendime në një mbledhje elektronike, përmes të cilave janë ndarë mjete për furnizim me ujë në Leposaviq, tekste mësimore në Luginën e Preshevës dhe projekte në fushën e inovacionit.
Për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë ndarë 255 mijë e 153 euro për sigurimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2025/2026.
Ndërkohë, 40 mijë euro janë ndarë për mbështetjen e aktiviteteve ndërkombëtare në fushat e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital. Nga kjo shumë, 20 mijë euro do t’i përfitojë organizata FLOSSK, ndërsa 20 mijë euro Qendra për Inovacion e Kosovës (ICK).
Qeveria ka miratuar gjithashtu dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Leposaviqit./EO/




