Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen tragjike të tre qytetarëve nga Vushtrria, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, të cilët humbën jetën në aksidentin rrugor pranë Bllacës.
Ajo tha se udhëtimi i tyre drejt Kosovës u ndërpre vetëm pak kilometra para mbërritjes në shtëpi, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjarët dhe të afërmit.
Haxhiu u shprehu ngushëllime familjeve Tërnava dhe Shabani, duke theksuar se është pranë tyre në këto momente të vështira, ndërsa uroi që viktimat të prehen në paqe.




