Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte lidhur me Masakrën e Reçakut.
Sipas njoftimit të Gjykatës, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit nuk kanë qenë të arritshëm për organet e drejtësisë deri në ngritjen e aktakuzës.
Prokuroria u ka bërë thirrje të gjithë të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para autoriteteve të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998–1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), dyshohet se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.
Aktakuza përshkruan se forcat serbe rrethuan fshatin Reçak, e granatuan me artileri, kontrolluan shtëpitë dhe ndanë burrat nga gratë e fëmijët. Gratë dhe fëmijët u dëbuan nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan.
Hetimet e Prokurorisë kanë konstatuar gjithashtu se civilët janë keqtrajtuar fizikisht me kondakë armësh, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Nga veprimet e forcave serbe, rreth 20 mijë banorë të Reçakut dhe fshatrave përreth u dëbuan nga shtëpitë e tyre.




