Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë një person të shpallur fajtor për vjedhje të rëndë në një argjendari në Prizren.
Sipas gjykatës, i akuzuari, së bashku me një shtetas bullgar, vodhi ari, argjend dhe sende të tjera me vlerë, duke i shkaktuar pronarit dëm prej 195 mijë eurosh. Ai u shpall fajtor edhe për një tentim-vjedhje në një argjendari tjetër dhe një rast tjetër vjedhjeje në një objekt.
Gjykata e ka obliguar të dënuarin ta kompensojë dëmin prej 195 mijë eurosh, ndërsa në të kundërtën do t’i konfiskohet pasuria në vlerë të barabartë me dëmin e shkaktuar.




