Policia e Kosovës ka konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore të Halim Ramadan Sopajt, i cili ishte raportuar i zhdukur më 5 tetor 2025 nga fshati Janqishtë i Malishevës.
Sipas njoftimit të Policisë, më 23 korrik 2026, në një zonë malore pranë fshatit Shkozë të Malishevës, janë gjetur mbetje mortore që dyshohej se i përkisnin personit me inicialet H.S.
Pas ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, autoritetet kanë konfirmuar identitetin, ndërsa pas konsultimit me prokurorin e shtetit, mbetjet mortore u janë dorëzuar familjarëve për procedurat e mëtejshme.
Halim Sopaj ishte larguar nga shtëpia mëngjesin e 5 tetorit 2025 dhe prej atëherë ishte raportuar i zhdukur. Policia, në bashkëpunim me institucionet tjera, kishte zhvilluar disa operacione kërkimi për gjetjen e tij.
Rrethanat e vdekjes së tij ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit do të vazhdojnë.




