Kosova dhe Franca kanë nënshkruar pesë marrëveshje të reja bashkëpunimi, të cilat synojnë forcimin e partneritetit në ekonomi, energji, arsim dhe mbështetjen për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Pas nënshkrimit, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, e cilësoi Francën një partner kyç të Kosovës dhe falënderoi Parisin për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën drejt integrimit evropian dhe zhvillimit të vendit.
Nga ana tjetër, ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, rikonfirmoi mbështetjen e Francës për Kosovën, duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara do të forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe investimet. Ai bëri të ditur se Franca do të financojë me 60 milionë euro rinovimin e Qendrës Studentore, e cila do të shërbejë si Fshati Olimpik për Lojërat Mesdhetare 2030, ndërsa përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim vazhdon edhe mbështetja prej 80 milionë eurosh për projektet e energjisë dhe klimës.




