Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë me kryeprokurorët e vendit, ku ka prezantuar prioritetet për 100 ditët e para të mandatit të tij.
Fokusi kryesor do të jetë luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, dhunës në familje dhe rritja e sigurisë në trafik. Po ashtu, ai ka paralajmëruar forcimin e hetimeve financiare, mbrojtjen e pronës së qytetarëve dhe ngritjen e cilësisë së punës në prokurori.
Gashi u ka kërkuar prokurorive të hartojnë plane konkrete për zbatimin e këtyre prioriteteve, duke garantuar mbështetje dhe bashkëpunim për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e kriminalitetit në vend.




