Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar edhe në rigjykim Avni Lajqin me pesë vjet burgim për veprën penale të përgatitjes së vrasjes së Musa Demajt (Loshi), ndërsa e ka liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje.
Sipas vendimit, në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Lajqi është obliguar gjithashtu të paguajë nga 100 euro për paushallin gjyqësor dhe Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Sipas aktakuzës, Lajqi, së bashku me Brahim Berishën dhe me udhëzimet e Egzon Hasangjekajt, dyshohej se kishte planifikuar vrasjen e Musa Demajt për shkak të një konflikti të mëhershëm, në këmbim të një pagese prej 100 mijë eurosh.
Procedura ndaj Egzon Hasangjekajt është veçuar, ndërsa hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve të tjerë kanë vazhduar veçmas.




