Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka shprehur kundërshtimin e tij për një bashkëpunim qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke vlerësuar se një marrëveshje e tillë do të nënkuptonte pranimin e qeverisjes aktuale.
Në një intervistë për RTV21, Rrahmani tha se opozita nuk duhet të bëhet pjesë e një qeverie me LVV-në, pasi sipas tij kjo do të sillte përgjegjësi të përbashkët për vendimet e marra gjatë viteve të fundit.
“Çdo bashkëpunim do të nënkuptonte ndarjen e përgjegjësisë dhe pranimin e kësaj qeverisjeje. Situata politike është e rëndë, institucionet nuk po funksionojnë si duhet dhe vendi po shkon drejt autoritarizmit”, deklaroi Rrahmani.
Ai foli edhe për mundësinë e një marrëveshjeje mes partive opozitare dhe LVV-së për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se posti i presidentit nuk duhet të jetë arsye për krijimin e një koalicioni.
Sipas tij, çdo subjekt opozitar që do të pranonte një marrëveshje vetëm për këtë post do të rrezikonte humbje politike.
“Presidenti nuk duhet të jetë bazë për një koalicion. Nëse ka bashkëqeverisje, atëherë ajo duhet të jetë përmes përfshirjes në ekzekutiv”, u shpreh Rrahmani.




