Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim themeluesen dhe drejtuesen e Shoqatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi.
Haxhiu ka vlerësuar angazhimin e Latifit dhe të kësaj shoqate në ndërgjegjësimin e grave për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe mbështetjen e personave të prekur nga kjo sëmundje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu ka thënë se Nafije Latifi, pas përballjes disa herë me kancerin e gjirit, e ka kthyer përvojën e saj personale në një mision për t’u ndihmuar grave në Kosovë.
Ajo ka theksuar se puna e Shoqatës “JETA/VITA” për më shumë se dy dekada ka dhënë kontribut të rëndësishëm në edukimin, informimin dhe ofrimin e mbështetjes psikologjike e sociale për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Haxhiu ka bërë thirrje që institucionet dhe shoqëria të mbështesin iniciativa të tilla, të cilat, sipas saj, kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetëve.




