Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të konstituohet pa vonesa dhe që seanca konstituive të mbahet më 6 gusht, sipas afatit të përcaktuar.
Pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësuesit e partive politike, ajo tha se përfundimi i procesit të konstituimit është i domosdoshëm për funksionalizimin e institucioneve të vendit.
Lushaku-Sadriu bëri të ditur se në takim është diskutuar për agjendën e seancës, ku përfshihen formimi i komisionit për verifikimin e mandateve, betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ajo theksoi se LDK-ja mbështet respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, duke kërkuar që institucionet të krijohen sa më shpejt.
Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit politik, Lushaku-Sadriu tha se aktualisht nuk ka pasur ftesë nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, por çdo marrëveshje mes partive duhet të bazohet në parime, vlera dhe objektiva të përbashkëta.




