Screenshot
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet një hetim të pavarur dhe transparent për produktet që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur, duke theksuar se siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar.
Në reagimin e saj, shoqata shpreh shqetësimin për konsumimin e këtyre produkteve ndër vite dhe kërkon sqarime të plota mbi përbërjen, cilësinë dhe ndikimin e tyre të mundshëm në shëndetin e qytetarëve.
Shoqata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të analizojnë të dhënat për sëmundjet kardiovaskulare dhe rastet e kancerit, si dhe të forcojnë kontrollin mbi produktet ushqimore që dalin në treg.
Po ashtu, kërkohet zbatim i plotë i legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe ndërmarrje e masave të nevojshme në rast se konstatohen shkelje. Sipas shoqatës, transparenca dhe mbrojtja e konsumatorëve duhet të jenë në qendër të veprimit institucional.




