Nata e parë e Sunny Hill Festival 2026 solli një atmosferë të jashtëzakonshme, me yllin e muzikës pop, Katy Perry, që elektrizoi publikun me performancën e saj dhe hitet më të njohura të karrierës.
Përveç interpretimit të këngëve si “Firework”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Teenage Dream” dhe “Roar”, një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ndodhi gjatë kontaktit të artistes me publikun.
Teksa iu afrua fansave pranë skenës, Katy Perry vuri re Erën, një vajzë 10-vjeçare që, e emocionuar nga takimi me idhullin e saj, shpërtheu në lot.
Artistja e përqafoi vogëlushen dhe e ftoi të këndonin së bashku refrenin e këngës “Roar”, duke ia bërë edhe më të veçantë ditëlindjen.
Sipas Erës, ky ishte urimi dhe dhurata më e bukur që mund të merrte në ditën e saj të lindjes.
Pamjet e këtij momenti u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të komentuara të natës së parë të festivalit në Prishtinë.




