Caktimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për 6 gusht ka nxitur kritika nga partitë ish-opozitare, të cilat e akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për vonesa në procesin e formimit të institucioneve.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, tha se 6 gushti ishte data e fundit e mundshme para skadimit të afatit kushtetues dhe vlerësoi se seanca është dashur të thirrej më herët.
Sipas saj, nuk ka pasur pengesa për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërsa theksoi se përgjegjësia për propozimin e kandidatit për president i takon shumicës parlamentare.
Edhe deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi caktimin e datës, duke deklaruar se gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Ai shtoi se një shtet funksional kërkon respektimin e rregullave demokratike dhe gjetjen e një figure unifikuese për kryetar të Kuvendit, e jo një kandidati që, sipas tij, përfaqëson vetëm partinë në pushtet.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar mbajtjen e seancës konstituive më 6 gusht në orën 10:00, duke arsyetuar se data është zgjedhur për t’u lënë hapësirë partive politike të zhvillojnë bisedime dhe të arrijnë një marrëveshje për formimin e institucioneve. Deputetët e zgjedhur kanë afat deri më 7 gusht për konstituimin e Kuvendit.




