Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u mbrojtur në liri në rastin ku akuzohet për pengim të drejtësisë, edhe pse ka pranuar garancinë financiare prej 50 mijë eurosh të ofruar nga familja dhe miqtë e tij.
Në vendimin e tij, gjyqtari Christopher Gosnell vlerëson se Thaçi nuk paraqet rrezik arratisjeje. Ai thekson se lidhjet e forta familjare në Kosovë, dorëheqja e tij nga posti i presidentit dhe dorëzimi vullnetar në Gjykatën Speciale janë tregues se ai do t’u përgjigjej procedurave gjyqësore. Sipas gjyqtarit, edhe garancia financiare e ofruar e zvogëlon më tej këtë rrezik.
Megjithatë, kërkesa për lirim është refuzuar për shkak të vlerësimit se ekziston rreziku që Thaçi të ndikojë në mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore, veçanërisht në raport me dëshmitarët që konsiderohen të ndjeshëm.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari i është referuar edhe çështjes së mëparshme ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve të tij, duke theksuar se ky vlerësim lidhet me mbrojtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Përmes ekipit të tij mbrojtës, Thaçi kishte paraqitur 14 garanci për lirimin në pritje të gjykimit. Ato përfshinin ndalimin e largimit nga Kosova pa leje të gjykatës, dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit, vendosjen e garancisë prej 50 mijë eurosh, ndalimin e kontakteve me bashkë të akuzuarit dhe dëshmitarët, paraqitje të rregullta pranë autoriteteve dhe respektimin e të gjitha urdhrave të Gjykatës Speciale.
Pavarësisht këtyre zotimeve, gjykata vendosi që Thaçi të mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër.




