Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje pritet që së shpejti t’u dërgojë ftesa LDK-së dhe partive të tjera parlamentare për takime lidhur me formimin e institucioneve të reja.
Ajo ka thënë se takimet mund të zhvillohen para seancës konstituive të Kuvendit, me qëllim të diskutimit për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas Kusari-Lilës, dështimi në zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja, prandaj ajo ka bërë thirrje që partitë politike të angazhohen për një marrëveshje që do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve.
Ajo ka theksuar se çdo marrëveshje politike duhet të jetë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve.
Kusari-Lila ka deklaruar se diskutimet për çështjen e presidentit mbeten të hapura dhe se emrat apo marrëveshjet konkrete do të varen nga zhvillimi i bisedimeve mes subjekteve politike.




