Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet që kanë goditur disa zona të Indisë jugore kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 14 personave dhe kanë detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në shtetin Kerala, 11 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 7 mijë e 700 banorë janë evakuuar dhe janë strehuar në qendra emergjente të ngritura nga autoritetet.
Ndërkohë, në shtetin fqinj Karnataka, një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga reshjet e dendura ka marrë jetën e tre anëtarëve të një familjeje.
Autoritetet lokale kanë nisur operacionet e pastrimit në zonat e prekura, ndërsa ekipet emergjente po vazhdojnë të monitorojnë situatën për shkak të mundësisë së reshjeve të tjera.
Për shkak të motit të keq, disa shkolla janë mbyllur dhe disa aktivitete publike janë shtyrë në zonat e prekura.




