KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të nisë zbatimi i tarifës së rikyçjes për ata që janë shkyçur nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave.
Sipas njoftimit, tarifa e re do të aplikohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), në bazë të Rregullës për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kjo tarifë do t’i shtohet tarifës së shkyçjes që tashmë është në fuqi dhe do të paguhet nga konsumatorët që kërkojnë rikthimin e furnizimit me energji elektrike pas ndërprerjes për shkak të borxheve.
KESCO ka bërë të ditur se për këtë ndryshim do t’i informojë konsumatorët përmes kanaleve zyrtare dhe përmes faturave mujore të muajit gusht.
Kompania ka apeluar te konsumatorët që t’i kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara, për të shmangur shkyçjen dhe kostot shtesë që lidhen me procesin e ndërprerjes dhe rikyçjes së energjisë.




