Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se aktualisht nuk ka marrëveshje për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por ka theksuar se posti i presidentit për LDK-në do të garantonte një balancim të pushteteve në vend.
Bajrami tha se çdo marrëveshje do të vlerësohet vetëm pasi të njihen detajet e saj, duke shtuar se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Sipas saj, posti i presidentit do të ishte një element i rëndësishëm për krijimin e ekuilibrit institucional dhe do të përbënte siguri për vendin dhe për vetë LDK-në.
“Pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe kjo do të ishte në favor të vendit”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo tha se nuk mund të japë qëndrim për një marrëveshje që ende nuk ekziston, ndërsa shtoi se LDK-ja ka pasur edhe më herët marrëveshje politike ku ka marrë poste të rëndësishme.
Bajrami përsëriti se është kundër shkuarjes në zgjedhje të reja dhe u shpreh për një marrëveshje që, sipas saj, do të ishte në interes të Kosovës./EO/




