Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka kërkuar publikimin e rezultateve të analizave laboratorike për qumështin Vita 3.2%, duke bërë thirrje për më shumë transparencë nga institucionet përgjegjëse.
Reagimi i fermerëve vjen pas publikimit të një raporti nga Ministria në detyrë e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me analizat e mostrave të produkteve të qumështit në Kosovë.
Shoqata ka deklaruar se mbështet çdo veprim për trajtimin e rasteve kur produktet nuk përputhen me deklarimet në etiketë, por kërkon që të publikohen edhe rezultatet e rasteve të tjera që ende nuk janë bërë publike.
Fermerët kanë rikujtuar se një nga kërkesat kryesore gjatë protestës së fundit para Ministrisë së Bujqësisë ishte publikimi i analizave për qumështin Vita 3.2%, mostrat e të cilit janë marrë më 2 korrik 2026.
Sipas tyre, institucionet ende nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete për rezultatet, pavarësisht se më herët ishte bërë e ditur se ato do të publikoheshin deri më 27 korrik.
Shoqata ka kërkuar që rezultatet të bëhen publike sa më shpejt, me qëllim informimin e drejtë të konsumatorëve dhe opinionit publik.




