Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka mirëpritur 15 inspektorë të rinj që do t’i bashkohen Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
Inspektorët janë transferuar nga niveli komunal në përputhje me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes së tregut në vend.
Me këtë transferim, numri i inspektorëve të IQMT-së është rritur në 39, ndërsa ministrja Kusari-Lila ka bërë të ditur se synohet që deri në fund të vitit 2026 ky numër të arrijë në 100.
Sipas saj, zgjerimi i kapaciteteve do të ndikojë në mbrojtjen e konsumatorëve, kontrollin e sigurisë së produkteve dhe krijimin e një tregu më të rregulluar e më të sigurt për qytetarët.




