Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë gjatë viteve 1998–1999, duke propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, mes tyre ish-zyrtarë dhe pjesëtarë të strukturave policore e ushtarake serbe, dyshohen se kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor, gjatë të cilit janë vrarë 107 civilë.
Prokuroria pretendon se gjatë operacionit civilët janë ndarë sipas gjinisë. Gratë dhe fëmijët janë plaçkitur, ndërsa burrat janë ekzekutuar në shtëpitë e tyre, në oborre dhe në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Gjithashtu, sipas aktakuzës, janë djegur edhe shumë shtëpi e prona.
Të 20 personat akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, ndërsa rasti pritet të shqyrtohet nga Gjykata kompetente.




