Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për krizën institucionale dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
AKB vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e dialogut politik po dëmtojnë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve në institucionet e vendit.
Sipas AKB-së, partitë politike duhet të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat demokratike, duke zgjidhur krizën përmes dialogut dhe votës.
“Kosova ka nevojë për vota, jo për përleshje; për dialog, jo për bllokadë; për institucione, jo për krizë të përhershme”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
AKB ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës institucionale rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët dhe ndikon negativisht në ekonominë e vendit.




