Një konflikt për pronë ka përfunduar me përleshje mes gjashtë personave në fshatin Turjakë të Malishevës, ku gjatë incidentit dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri.
Rasti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës 17:20, kur Policia është njoftuar për një përleshje në rrugë.
Sipas dyshimeve të Policisë, tre persona janë përleshur me tre të tjerë, ndërsa konflikti besohet se ka nisur për shkak të një kontesti pronësor, pasi të dyja palët pretendojnë pronësinë mbi të njëjtën tokë.
Gjatë incidentit, njëri prej të dyshuarve dyshohet se ka shtënë dy herë në ajër me një pistoletë të tipit “Zoraki” 9 mm.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë ekzaminimit ka sekuestruar një pistoletë, një fishek, një gëzhojë të kalibrit 9 mm dhe dy briskë.
Të gjashtë personat janë intervistuar si të dyshuar. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale që lidhen me përdorimin dhe posedimin e paautorizuar të armës, si dhe lëndimin e lehtë trupor.
Me vendim të Prokurorit, pesë të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njëri prej tyre është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt.
Personat e përfshirë në këtë rast prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.




