Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar një person, i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.
Sipas Prokurorisë, I.Ç., pronar dhe person përgjegjës i një qendre për verifikimin e aftësive profesionale në Prizren, dyshohet se nga viti 2019 ka lëshuar rreth **1,679 diploma profesionale pa zhvilluar trajnimet**.
Pagesa për një diplomë dyshohet se ishte rreth 300 euro, ndërsa përfitimi i përgjithshëm dyshohet të ketë arritur në rreth **500 mijë euro**.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar 333 diploma, pajisje elektronike, vula, para të gatshme dhe dokumente të tjera.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të vendosë nëse do të kërkojë masë tjetër sigurie.




