Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” në fshatin Restelicë të Dragashit.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026, pas një konflikti mes të dyshuarit dhe nënës së tij, T.B. Prokuroria pretendon se F.B. e ka sulmuar fizikisht viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda që kanë rezultuar me vdekjen e saj.
Pas ngjarjes, trupi i viktimës ishte gjetur nga familjarët në shtëpi.
Ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik ka konstatuar se në momentin e veprës, aftësia e të pandehurit për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet ka qenë e zvogëluar, por jo në shkallë thelbësore.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.




