Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke thënë se partia e tij nuk kishte marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe se qëndrimi i saj ishte të mbetej në opozitë.
Abdixhiku deklaroi se në zhvillimet e djeshme nuk u refuzua ndonjë marrëveshje qeverisëse, por u pamundësua zgjedhja e Presidentit të Kosovës me kandidatin e propozuar nga LDK-ja.
Sipas tij, kjo situatë e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndonëse ato nuk kanë qenë pjesë e agjendës apo kërkesë e anëtarësisë së LDK-së.
Ai kritikoi zërat brenda dhe jashtë partisë që, sipas tij, po e paraqesin këtë zhvillim si sukses politik, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dëmtojë LDK-në.




