Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 20 copë municion të padeklaruar gjatë kontrollit të një mauneje në Zyrën e Brendshme Doganore në Ferizaj.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe ngarkesës, zyrtarët kanë hasur në një faturë që lidhej me një armë, çka ka ngritur dyshime për praninë e artikujve të tjerë të ndërlidhur me armë.
Kontrolli është zgjeruar edhe në kabinën e maunes dhe në sendet personale të shoferit, ku në një çantë janë gjetur dy kuti me municion, gjithsej 20 copë.
Rasti është proceduar më tej nga autoritetet kompetente, në përputhje me procedurat ligjore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin dhe zbulimin e kontrabandës dhe mallrave të ndaluara.




