Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar vendimin për vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator, duke e cilësuar situatën politike dhe institucionale në Kosovë si shkelje të normave kushtetuese.
Gjini tha se vendi po përballet prej kohësh me krizë institucionale dhe akuzoi pushtetin për keqpërdorim të institucioneve dhe shkelje të Kushtetutës.
Sipas tij, thirrja e seancës për 9 shtator e ka thelluar krizën dhe ka krijuar precedentë që mund të kenë pasoja afatgjata për vendin.
Ai u bëri thirrje partive opozitare që të mos bëhen pjesë e, siç e quajti, shkeljeve kushtetuese, ndërsa kritikoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gjini pretendoi se veprimet e fundit synojnë krijimin e kushteve për zgjedhje të reja dhe tha se Kurti po kërkon ta përcaktojë vetë datën e tyre./EO/




