Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se prioritet i partisë së tij është krijimi i institucioneve të vendit dhe jo shkuarja në zgjedhje të reja.
Deklarata e tij erdhi pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Bajqinovci tha se LVV-ja synon që të funksionalizohen të gjitha institucionet, duke kundërshtuar idenë që Kuvendi të konstituohet vetëm për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja pas një periudhe të shkurtër.
Sipas tij, partitë opozitare kanë shprehur qëndrime se pas konstituimit të Kuvendit vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje. Ai iu referua në këtë kontekst edhe deklarimeve të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Ne nuk po kërkojmë zgjedhje. Synimi ynë është që të krijohen institucionet dhe vendi të mos përballet sërish me zgjedhje”, tha Bajqinovci.
Ai theksoi se Kosova nuk duhet të shkojë për herë të katërt në zgjedhje, duke e cilësuar si të rëndësishme krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.




