Partitë parlamentare nuk kanë arritur pajtim për mënyrën e votimit të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur në favor të votimit individual të kandidatëve, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kundërshton ndryshimin e praktikës së deritanishme, sipas së cilës kandidatët janë votuar në pako.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se, në mungesë të një marrëveshjeje mes subjekteve politike, procesi duhet të vazhdojë me votimin e secilit kandidat veçmas.
Ajo theksoi se LVV-ja është e gatshme të zbatojë procedurën që përcaktohet nga aktgjykimi, duke përfshirë edhe votimin individual.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së argumentoi se aktgjykimi nuk përcakton shprehimisht që votimi duhet të bëhet veç e veç. Sipas tij, praktika parlamentare ka qenë votimi i kandidatëve në pako dhe ndryshimi i kësaj procedure, pa konsensus, nuk duhet të përdoret si mënyrë për bllokim të procesit.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se partia e saj e mbështet votimin individual në mungesë të konsensusit.
Ajo tha gjithashtu se deputetët duhet ta kenë të drejtën të vendosin individualisht nëse do ta mbështesin apo jo secilin kandidat për nënkryetar të Kuvendit.




