Trupi gjykues në rastin “Banjska” ka vendosur që seanca e sotme të zhvillohet e mbyllur për publikun dhe mediat, pasi gjatë saj do të dëgjohet një dëshmitar i mbrojtur.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, kërkoi që dëshmia e dëshmitarit A2 të jepet pa praninë e publikut dhe mediave, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së identitetit të tij të fshehur.
Avokati i palës mbrojtëse, Ljubomir Pantović, e kundërshtoi këtë kërkesë.
Pas dëgjimit të palëve, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, vendosi që seanca të mbyllet për publikun gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur.
“Aprovohet propozimi i prokurorisë që seanca të kalojë në seancë të mbyllur gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim A2, me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarit”, tha Hoti.
Më 11 shtator të 2024-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas aktakuzës kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.




