Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në adresimin e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB’së, ka përsëritur kërkesën për mbylljen e UNMIK-ut.
Gërvalla e ka cilësuar këtë mision si humbje parash të OKB-së, teksa ka thënë se nëse UNMIK do të largohej qysh nesër, nuk do të kishte asnjë ndryshim në vend.
“UNMIK-u duhet të mbyllet. Është një humbje e madhe parash të OKB-së. Nuk i shërben më asnjë qëllimi…Nëse UNMIK-u do të largohej nesër, asgjë nuk do të ndryshonte në Kosovë dhe për qytetarët e saj”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se në Kosovë ka institucione demokratike, agjenci ndërkombëtare dhe organizata të OKB-së që po bëjnë punë të shkëlqyer.
Sipas Gërvallës, raportet e njëanshme të UNMIK-ut nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në terren, duke i injoruar faktet që dëshmojnë përparimin demokratik të Kosovës dhe përkushtimin e saj ndaj paqes dhe sundimit të ligjit.
Kërkesë për mbylljen e UNMIK pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesi i SHBA-së për Menaxhimin dhe Reformën e OKB-së, ambasadori Jeff Bartos, tha se nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka më asnjë rol në qeverisjen e vendit.
Sipas tij ka ardhur koha që misioni të përmbyllet.




