Mungesa e institucioneve funksionale në Kosovë po shihet në Bruksel si pengesë për rrugëtimin e vendit drejt strukturave evropiane, dhe rrjedhimisht edhe për mundësinë e vazhdimit të procesit të heqjes së masave.
Në një konferencë kushtuar zgjerimit, drejtori i përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, rikujtoi se në Kosovë nuk ka qeveri që nga muaji shkurt dhe përmendi rastet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat, sipas tij, janë plotësisht të përqendruara në proceset e integrimit evropian, duke këshilluar autoritetet kosovare të ndjekin të njëjtin shembull.
Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, theksoi se Kosova nuk mund të trajtohet si vend pa qeveri, ndonëse ajo është me mandat të kufizuar dhe shtoi se, përkundër shumë hapave të ndërmarrë, masat ndëshkuese ndaj Kosovës ende mbeten në fuqi.
Ndërkohë, disa ditë më parë Bashkimi Evropian konfirmoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në vend po shihet si një sinjal pozitiv drejt heqjes së masave dhe për momentin, BE-ja ka larguar vetëm disa masa simbolike.




