Një delegacion i Partisë Demokratike të Kosovës, i përbërë nga Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare Bernard Nikaj, deputetja Eliza Hoxha dhe anëtarja e kryesisë Besa Kabashi-Ramaj, ka përfaqësuar partinë në Kongresin e Partisë Evropiane të Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE), i cili po mbahet në Bruksel.
Në kuadër të aktiviteteve të kongresit, deputetja Eliza Hoxha mori pjesë si paneliste në diskutimin e organizuar nga Friedrich Naumann Foundation for Freedom, me temën “Një vizion i përbashkët liberal për Ballkanin Perëndimor”. Në panel morën pjesë përfaqësues të lartë të partive liberale nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë fjalës së saj, Hoxha theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, promovimit të transparencës dhe ndërtimit të një vizioni të përbashkët liberal për zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, Besa Kabashi-Ramaj ishte folëse në Samitin e 10-vjetorit të iniciativës “Alliance of Her”, një ngjarje prestigjioze që shënon një dekadë të promovimit të lidershipit të grave në demokracitë liberale evropiane.
Pjesëmarrja e delegacionit të PDK-së në këto ngjarje nënvizon angazhimin e partisë për bashkëpunim ndërkombëtar, promovimin e vlerave liberale dhe përfshirjen aktive të Kosovës në debatet për të ardhmen evropiane të rajonit.





