Në shkallën e parë u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Speciale e Hagës. E Apeli, ia uli dënimin në 13 vjet. Megjithatë, për të dyja vendimet, Pjetër Shala, ish-pjesëtar i UÇK-së, ka vërejtje të mëdha.
Komandant Ujku në një intervistë për gazetën Nacionale, nga Haga ka përmendur disa prej shkeljeve kryesore të cilat thotë se kanë qenë në procesin gjyqësor.
Shala përmend prova të falsifikuara, gënjeshtra e të pavërteta. “Shpresa për drejtësi po shuhet”, thekson ai gjatë intervistës.
Shala thekson se është dënuar për një vrasje, të cilën gjyqtarët e konstatuan se nuk e ka kryer ai personalisht. Pavarësisht kësaj, ai thekson se është në proces të hartimit të ankesës për Gjykatën Supreme.
Shala flet për arrestimin e tij, kushtet në Qendrën e Paraburgimit, por që nuk u lejua të përgjigjet për kontaktet që ka me ish-krerët e tjerë të UÇK-së në Hagë.
Intervista është realizuar me shkrim, duke respektuar të gjitha kërkesat që dalin nga Udhëzuesi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.




