Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Suharekë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala, lidhur me akuzat e tij ndaj kryetarit aktual dhe kandidatit për kryetar, Bali Muharremaj, për çështjen e tenderit të rregullimit të lapidarit në fshatin Studençan.
Në reagimin publik të OVL-së thuhet se tenderi i përmendur ka qenë i hapur për tre lapidarë – në fshatrat Dubravë, Vraniq dhe Studençan, dhe se Komuna e Suharekës nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti komunal për lapidarin e Studençanit, pasi punimet janë realizuar përmes donatorëve privatë, të siguruar nga organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së nëndega në Studençan.
Sipas tyre, mjetet e tenderit janë përdorur vetëm për lapidarët në Dubravë dhe Vraniq, ndërsa organizata ka në posedim materialin zyrtar të tenderit që dëshmon këtë fakt.
OVL e UÇK-së – Dega në Suharekë ka bërë thirrje që asnjë kandidat për kryetar të komunës të mos i përfshijë lapidarët e dëshmorëve dhe martirëve në betejat politike, duke theksuar se këto simbole përfaqësojnë sakrificën më të lartë për liri dhe pavarësi.
Organizata u ka bërë apel kandidatëve që të garojnë me programe dhe ide konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Suharekës, duke ruajtur respektin dhe dinjitetin ndaj kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Reagimi është nënshkruar nga kryetari i OVL-UÇK-së, Dega Suharekë, Sejdi Elezi.





