Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Emini kishte kërkuar që në Kllokot të urdhërohej rivotim, duke pretenduar se gjatë ditës së zgjedhjeve kishte pasur shkelje të shumta ligjore e procedurale, moszbatim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Supreme dhe ndërhyrje të strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor.
Por Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e tij nuk ishin të mbështetura me dëshmi të qarta dhe bindëse, siç kërkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Prandaj, vendimi i PZAP-it për ta refuzuar ankesën u vlerësua si i drejtë dhe i ligjshëm.
Sa i përket pretendimeve për veprime të mundshme penale gjatë zgjedhjeve, Gjykata sqaroi se ato nuk hyjnë në kompetencë të PZAP-it, por të Prokurorisë kompetente, ku Emini tashmë kishte dorëzuar kallëzim penal.




